Diskutim për të dhënat hidrogjeografike të rrjetit lumor shqiptar. Disa anomali e pasaktësi në të dhënat mbi lumin Drini i Zi.

Diskutim për të dhënat hidrogjeografike të rrjetit lumor shqiptar. Disa anomali e pasaktësi në të dhënat mbi lumin Drini i Zi.

Adriatik Balla, Doktor i Shkencave Hidrologjike

Autor: Dr. Adriatik Balla
Drini i Zi, me sipërfaqja të pellgut ujëmbledhës 5885 km2, lartësi mesatare të pellgut ujëmbledhës 1132 m, koefiçient të rrjedhjes 0.65 dhe prurje e llogaritur si plotë që përsëritet një herë në 100 vjet 1850 m3/s, është një prej arterieve më të rëndësishme lumore të vendit tonë, njëherësh një prej lumenjve më kontribues të sistemit tonë hidrografik. Është e kotë të ndalemi këtu në vlerat natyrore të këtij lumi, rëndësinë e tij në tiparet morfologjike të luginës së Drinit të Zi dhe në vetë jetën e banorëve të kësaj treve.
Sot, duke marrë në analizë të dhënat e institucioneve dhe të autorëve më në zë, do të përpiqemi të nxjerrim disa konkluzione mbi prurjen mesatare shumëvjeçare të këtij lumi, bazuar nga matjet e bëra në Skavicë.
Duhet thënë se gjeografët tanë, edhe pse janë ustallarë në këto çështje, kanë gabuar kur u kanë besuar verbërisht të dhënave të ofruara nga sektori i hidrometeorologjisë.
Një tjetër defekt është mesatarja e të dhënave që lidhen me një fenomen të caktuar. Psh. sot në literaturën tonë gjeografike të dhënat për rrjetin hidrografik, janë bazuar kryesisht në periudhën 1960-1980, që ka qenë një dydekadësh mjaft i lagësht, me plota të shumta të lumenjve, por që në një periudhë më afatgjatë, mesatarja e ofruar si shifër nuk përkon me realitetin. Për më tepër, nga viti 2005 e në vijim, për lumin Drini i Zi, nuk kemi një tabelë zyrtare të publikuar mbi prurjen e lëngët e të ngurtë, që do të na ndihmonte mjaft në analizat shkencore.
Literatura jonë gjeografike dhe hidrologjike jep gjatësinë e Drinit të Zi nga liqeni i Ohrit ku ka burimin e deri në Kukës ku bashkohet me Drinin e Bardhë 149 km, por nga matja që bëra unë mbi imazhin satelitor, duke ndjekur aksin qendror të shtratit nëpër të gjithë gjarpërimet e tij, më doli 143.2 km. Marzhi i gabimit në imazhet për zonat fushore e luginore nuk është më i madh se 1% që do të thotë ±1.4 km.
Në Gjeografinë Fizike të Shqipërisë, prurja e Drinit të Zi jepet 118 m3/s, kurse në “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, prurja e Drinit të Zi jepet mbi 100 m3/s. Të dhënat, në të dy rastet, janë referuar në literaturën hidrologjike.
Nga tabela e dhënë në fq. 210, në “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, të prof. Niko Panos, botuar në vitin 2015, mbi prurjet e Drinit të Zi në Skavicë, shohim se në afro 60 vjet matje, nga 1948 e deri në vitin 2006, Drini ka një prurje mesatare shumëvjeçare 93.44 m3/s, e jo mbi 100 m3/s. Por kjo mesatare ka ndryshime të theksuara në periudha të ndryshme. Kështu, në vitet 1948-1954 prurja është nga më e vogla 77.6 m3/s (1953) deri në më të lartën me 93.6 m3/s (1948).
Periudha 1955-1985, prurja luhatet nga më e ulëta 64.6 m3/s në vitin 1975 deri në 193 m3/s në vitin 1963 (shifra më e lartë e prurjes në 60 vjet).
Periudha nga viti 1986-2006, prurja luhatet nga më e pakta 43.8 m3/s në vitin 1990 (shifra më e ulët e prurjes në 60 vjet) deri në 99.6 m3/s në vitin 2004.
Nga viti 1948 e deri në vitin 1988, pra për 40 vjet, prurja mesatare ka qenë 101.5 m3/s
Nga viti 1988-2006 prurja mesatare shumëvjeçare del 75.4 m3/s, pra 25% më pak.
Nga viti 2006-2024 mbetet të njihemi me të dhënat që ofrohen nga institucionet, por logjika na thotë që në kushtet e ngrohjes së klimës dhe pakësimit të reshjeve të shiut e të borës, prurja mesatare vjetore do të jetë akoma më e vogël në këto 18 vjetët e fundit (për këto 20 vjetët e fundit ndoshta më pak se 70 m3/s), rrjedhimisht prurja mesatare shumëvjeçare e Drinit të Zi, është më pak se 90 m3/s (në një periudhë matjeje 75-vjeçare).
Por, për aq sa kemi të dhëna, nga viti 1948 e deri në vitin 2006, prurja mesatare e Drinit të Zi është 93.4 m3/s.
Nga analiza e të dhënave del që prurja e lumit Drin i Zi nuk është sa 1/3 e prurjes së Drinit në Vaun e Dejës, por afro ¼ e tij. Rrjedhimisht, nëse marrim të mirëqenë prurjen e Bunës në det me 680 m3/s, Drini i Zi nuk ka 9% të prurjes totale të lumenjve në det, por një shifër më të paktë.
Dikush mund të mendojë se këto janë lojëra shifrash, por nga kjo analizë e shkurtër kuptojmë që për gjeografët ka rëndësi të thellohen në të dhënat që ofrohen, pasi mund të futemi në gabime të rënda, që dëmtojnë imazhin që gjeografia shqiptare me djersë e ka ndërtuar ndër vite. Ndaj, pa e tepruar, metoda kryesore na del ” Kontrollo, pastaj beso!

 

 

Opposition to Skavica Dam

The movement "Opposition to Skavica Dam", "Opposition to the construction of the Skavica Project" has been approved, legitimized by the Court of Tirana, as a popular movement to oppose the construction of Skavica, and aims to protect Dibra. I invite all Dibras to be part of this movement, all-popular, united more than ever. Please contact us with the following information: **email: oppositionskavica@gmail.com ** cell: 0696752775 **With respect, ** Ferzileta Gjika

Learn More →

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *