Stop Skavica

Stop Skavica

Activities Events In Media Newsletter Publications Reports

Njoftim per Shtyp: Keshilli bashkiak Diber firmos Rezoluten Kunder Ndertimit te Skavices!

27 Maj, 2024

Diber

Njoftimi për shtyp

Më datë 22.05.2024, me numër protokolli 1865, i është dorëzuar Bashkisë Dibër një vendim qarkullues në formë rezolute kundër projektit të hidrocentralit Skavice.

Kjo rezolutë, të cilën e gjeni bashkëngjitur, është prezantuar më datë 03.05.2024 nga këshilltarët iniciues ( pas refuzimit të drejtuesve të këshillit bashkiak për të organizuar dhe zhvilluar mbledhjen e kërkuar posaçërisht) dhe më pas është firmosur nga 16 këshilltarë të këshillit të bashkisë Dibër, nga 31 këshilltarë gjithsej, që përbëjnë shumicën e anëtarëve.

Më herët, një kërkesë me firmat e më shumë se 1/3 së anëtarëve të këshillit, datë 19.04.2024, është administruar në protokollin e Bashkisë Dibër, me nr. 1508, dt. 22.04.2024, për mbajtjen e mbledhjes së posaçme të këshillit bashkiak për informimin e anëtarëve dhe komunitetit për këtë projekt.

Një takim i tillë, veçanërisht për HEC-in e Skavicës, do të ishte i mirëseardhur dhe shoqata “Kundershtimi ndaj Digës së Skavicës” po ashtu me kërkesë zyrtare kishte shprehur interes për të qenë pjesë e këtij takimi.

Ky takim nuk është thirrur.

Shoqata “Kundershtimi ndaj Digës së Skavicës” falënderon të gjithë anëtarët që nënshkruan këtë rezolutë, të cilët edhe pse i përkasin një spektri të gjerë politik të majtë dhe të djathtë, përfaqësonin interesat e banorëve, duke u shprehur qartë dhe me argumente për pse ky projekt është i dëmshëm dhe nuk duhet të zhvillohet.

Ndërkohë që faza e parë e këtij projekti po vijon, tashmë, pas dy seancave publike gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese gjatë vitit 2023/2024, pas shumë ekspertizash dhe dokumentesh të vlerësimit të ndikimit mjedisor social të publikuar nga KESH, ka mjaft argumente për të përcaktuar ndikimin negativ, si rezultat i ketij projekti.

Duhet të theksojmë se KESH ende nuk ka bërë të ditur një version përfundimtar të kësaj dige, por tashmë zyrtarisht e dimë se kuota e përmbytjeve të kësaj dige pritet të arrijë deri në 442 metra mbi nivelin e detit.

Për më tepër, bazuar në korrespondencën zyrtare me bashkinë Dibër dhe KESH-in, tashmë bëhet e ditur se zona e projektit përfshin 10 nga 15 njësitë administrative të bashkisë Dibër (dhe tre fshatra në Kukës), duke e bërë këtë bashki jofunksionale në rast se do të zbatohet kuota 442 metra mbi nivelin e detit.

Këto të dhëna të deritanishme, legjitimojnë plotësisht veprimin e anëtarëve të këshillit bashkiak Dibër në këtë kohë, edhe pse faza e parë është në vazhdim, në përpjekjen e tyre për të parandaluar dëme të pariparueshme.

Ky është qëllimi i këtij vendimi qarkullues në formë rezolute.

Me fjalë të tjera, kjo rezolutë synon ndalimin e diges se Skavices, qe ka nje impakt shumë të madh social dhe mjedisor në Dibër, që shpopullon praktikisht zonën e pellgut të Drinit të Zi, shpërngul mijëra banorë dhe jo vetëm.

Kjo rezolutë i drejtohet të gjitha autoriteteve, publike dhe jo publike, të cilat janë përfshirë në këtë projekt. Aty kërkohet anulimi i projektit, si dhe i kërkohet bashkisë Dibër që të mos mjaftohet me rolin që i ka caktuar vetes deri më tani, atë të koordinatorit, por të marrë rolin kushtetues dhe njëlloj si banorët, për të kundërshtuar projektin.

Në këtë dokument, qëndrimi popullor ndaj këtij projekti të banorëve të Dibrës njihet nga këshilli bashkiak, i shprehur në dhjetëra protesta si në Skavice, Kukës dhe në vende të ndryshme në Dibër e në Tiranë, por edhe të zhvilluara jashtë vendit, në shumë kërkesa, peticione, konferenca, takime me banore, etj.

Ndër të tjera kërkohet edhe ndalimi i faktit të kryer, duke u kërkuar autoriteteve zbatimin e ligjit dhe kushtetutës, duke u konsultuar me banorët.

Theksojmë se Gjykata Kushtetuese me vendimin numër 03/2024 vendosi që ligji i posaçëm për hidrocentralin e Skavicës, numër 38/2021, propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfaqësuar nga znj. Belinda Balluku, ka shkelur nenin 56 të kushtetutës që përcakton se kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij. Ky projektligj nuk është konsultuar me publikun dhe gjatë seancave në komisione nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues të grupeve të interesit dhe komunitetit. Çdo vendim madhor për këtë projekt është marrë praktikisht pas dyerve të mbyllura dhe fatkeqësisht duket se kjo praktikë vazhdon të jetë normë edhe pas këtij vendimi gjyqësor.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese detyron të gjitha autoritetet të garantojnë të drejtën e informimit gjatë fazës së parë të ligjit dhe të pasqyrojnë rezultatet e konsultimeve sipas nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

Në këtë rezolutë, objektivat për zhvillimin e zonës përcaktohen qartë nga shumica e anëtarëve të këshillit që kanë firmosur, të cilat bien ndesh me këtë projekt, në drejtim të zhvillimit të turizmit në katër stinët, bazuar në veçoritë që karakterizojnë Dibrën.

Bëhet thirrje për ndërprerjen e qasjeve diskriminuese ndaj banorëve dhe i kërkohet parlamentit të mos miratojë akte dhe ligje që cënojnë interesat jetike të banorëve të Dibrës.

Pajtueshmëria me standardet gjatë zhvillimit të Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis Social është një tjetër kërkesë e kësaj rezolute.

Njoftojmë opinionin publik se Shoqata “Kundërshtimi i Digës së Skavices” do të mbrojë në çdo moment interesat e banorëve të prekur nga ky hidrocentral, qoftë në Dibër apo Kukës, me çdo autoritet vendimmarrës.

Me respekt, Ferzileta  Gjika (Vladi)

Perfaqesuese e “Kundershtimi ndaj Diges se Skavices”

oppositionskavica@gmail.com

+355 696752775

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *

The movement "Opposition to Skavica Dam", "Opposition to the construction of the Skavica Project" has been approved, legitimized by the Court of Tirana, as a popular movement to oppose the construction of Skavica, and aims to protect Dibra. I invite all Dibras to be part of this movement, all-popular, united more than ever. Please contact us with the following information: **email: oppositionskavica@gmail.com ** cell: 0696752775 **With respect, ** Ferzileta Gjika