About us Collaboration EIA Assessment Skavica DAM Gallery Get Involved News Newsletter Protests Publications Reports
Skavica Vret, Nuk Kuron
SKAVICA VRET, NUK KURON
Autor: Arif Mata
Ish-Drejtor I Bujqesis dhe Ushqimit Diber
Ajo nisi në vitet ‘70-të të shekullit të kaluar, kur korifenjtë Petrit Radovicka e Fahrudin Hoxha ishin në kulmin e krijimtarisë së tyre në fushën të energjisë dhe ndërtimit, ashtu si dhe Partia e Punës (Komuniste) të Shqipërisë në kulmin e fuqisë. Çështja e saj u vu ne lëvizje në të gjithë treguesit, që e përbënin dhe të gjithë produktivitetin që mund të sillte. Di të sigurt se ishte vënë në lëvizje dhe ide-projekti i ndërtimit dhe devijimit te rrugës automobilistike Tiranë-Peshkopi, prej fshatit Boceve, si rrugë e re ne anën e majtë të rrjedhjes së Drinit deri në afërsi të fshatit Hotesh, ku me një Urë të re mbi Drin, kalohej në fshatin Selane, Dohoshisht e deri në Peshkopi.
Ishte fjala në respekt të kuotës 485 m të lartë të Digës, pikërisht kjo zgjidhje, që flitet me së shumti dhe sot. Ne përbërje të një grupi të përbashkët te instancave të Partisë e Pushtetit te Dibrës e përfaqësuesve të Ndërmarrjes Kombëtare Rruga-Ura Tiranë, as.ing. B. Mata ndihmues në këtë grup pune, tregon se kur ing. Dhori Guri u pyet, se ku do ishte niveli i përmbytjes ai kishte thënë, se Ura e Topojanit e sotme do të mbetej 1 m nën pasqyrën e liqenit ujëmbledhës.
Këtij projekti të shqyrtuar gjerë e gjatë me centralizmin maksimal të asaj kohe ishte vendosur, që t’i thuhet jo. Pasi rezultonte një zgjidhje, që nuk e përligjte vetën, në një këndvështrim e analizë të gjerë e afatgjatë.
Para dy vjetësh, projekti është nxjerrë nga sirtarët dhe pa asnjë transparencë qeveritare, po serverit se është gati për të filluar vënien në jetë të tij. Popullit të Dibrës krejt kalimthi i është thënë se po mendohet për ndërtimin e një Hidrocentrali Elektrik në një, dy apo dhe tri variante dhe kaq. Gjithçka tjetër është lënë në terr! Pyetja e parë, që të lind është, pse e si mund të ndodhë kështu? Kur në kompleks dëmi që i shkaktohet vendit e popullit të Dibrës është shumë i lartë dhe kurrë i kthyeshëm. Dëmi është i natyrës historike, kulturore, ekonomike, mjedisore, klimatike, gjeostrategjike e drejtime të tjera më të imta. Impakti i vërtetë do të duhet kohë të dihet, mirëkuptohet e provohet kohë pas kohe në të ardhmen.
Duket një çudi e shkallës së pabesueshme, se si mund të ndërtohet një dige kaq e lartë që grumbullon një sasi shumë të madhe uji, në një zonë me potencë e shkallë kaq të lartë lëkundjesh tektonike e tërmetesh me fuqi shkatërruese. Kush janë ata studiues e projektorë që i lëshuan hi’, me një mendjelehtësi e mungesë përgjegjësie të pashpjegueshme mendimit shkencor të kolosëve të tillë si Profesor P.Radovicka, e të tjerë?
Ndërsa armët me fuqi të madhe vrasëse e dëmtimit masiv sofistikohen dita-ditës dhe madhësia fizike nuk është trend i së ardhmes së tyre, ndryshe po ndodh me këtë megaprojekt, vrasësin Skavica. Ajo është planizuar e projektuar të jetë gjigante, se detyra e saj është të mbajë e grumbullojë një sasi të stërmadhe uji, që varros të gjithë pellgun me bujqësor të Dibrës. Pa menduar e vënë në llogari se dëmton rëndë jo vetëm shumë mijëra qenie humane, po më shumë, kodër, mal, fushën mijëra e mijëra hektarësh të Dibrës prodhuese, mijëra banesa e ndërtime publike, shumë rrugë, ura, qindra e qindra investime të fermerëve të tregut. Ato investime, ku është mundur të vihen në jetë e funksion, kapitale të mëdha, të akumuluara për gjatë kohë me shumë vendosmëri e shpresë, largpamësi, shpirt e djersë, të cilat sa kanë filluar të kthejnë fitimet e veta. Kjo gjendje zbulon dhe një pabesi e mënyrë diktatoriale qeverisje! Me një studim të plotë, më efektiv dhe transparent, kjo katastrofë shkatërruese mbi investimet shumë ndërtuese e të perspektivës të dibranëve punëtorë të shquar, do të ishte parandaluar e kursyer për tjetërkund. Mjafton të përmendim vetëm themelin bujqësor, që kjo digë e varros përjetësisht: Fusha e Draj dhe Zall-Recit, Fushën e Zalldardhës dhe të Lugjej-Topuze, si dhe tokën më të mirë në të dy anët, e rrjedhjes së mesme e deri në Drin të Veleshicës, Ranat e Mustafe e Kodeër-Leshe, gjithë Fushë-Alien, Laces, tokat më jetëdhënëse të Bllices, Fushën e Kastriotit (Torviolli i famshëm), Zbinecin e përmendur, Fushën e Kandrit, vazhduar me zemrën e veshkën e tokës bujqësore të DibrësFushën e Vakufit, Rreth Kales, dhe me kryesoren hambarin Fushën e Brezhdanit, Ushtelenxes dhe Cetushit.
Në krahun e majtë të rrjedhjes së Drinit, vazhdohet me varrosjen e tokave më prodhuese të Kodër Leshe e Arrasit, Zallin e Sinës të përmendur, tokave më jetëdhënëse të Vajmëdhenjt, Fushës prodhuese të Muhurit, Fushës së Katundit të Ri (Myzeqenë e Vogël të Dibrës), tokave më të mira të Hoteshit, Selane-Dohoshishtit, Fushës së Gradecit, Bocevës, Vojnikës, Podgorcës, Allabegisë, Spasit, Reshanit, Fushës së Dibrës së Madhe buzë Drinit, një pjese të Fushës së Shupenzës e Fushën më pjellore të Dibrës Gjoricën, shumë toka pjellore të Grykës së Drinit përtej kufirit politik me Maqedoninë e Veriut, e tjerë e tjerë. Duhen bërë evidentime e përllogaritje në norma e koeficiente shkencorë ekonomikë (si ekonomisti Dali Horeshka ndërmori të bëjë kohët e fundit), për mijëra ha tokë bujqësore, tokë me frutikulturë e për frutikulturë, pyje-kullotash nga ekspertë, që e njohin mirë e shkencërisht vendin ku jetojnë, punojnë e paguhen. Është po kaq e rëndë, tronditja e pariparueshme e jetës së mijëra familjeve e banorëve dibranë, që shkulen përdhunisht nga trojet e tyre shekullore. Janë më shumë se 35 fshatra, që fshihen nga faqja e dheut dhe e historisë demografike të Dibrës. Një ndër to e totalisht dhe fshati Katund i Ri, vendlindja dhe vendbanimi i familjes e fisit të autorit të këtij shkrimi, argumenti e proteste, bashkë me të, të mbi 250 familjeve bashkëfshatare të tjera.
Është koha më e duhur për t’i dalë zot vendit të tyre me argumente sa më shkencorë, për ta ndalur këtë ndërmarrje para-funerale të Dibrës. Kjo mbrojtje duhet të bëhet nga të gjithë, si përgjegjësi e tyre për Dibrën që duan, nga specialistët dhe ekspertët e të gjitha fushave të zhvillimit. Zërat e parë të Prof. Adem Bungurit, Murat Koltrakës, Mustafa Tolës ambientialistëve të shquar Xhemal Mato e Sazan Guri, gazetarit Abdurahim Ashiku, gazetarit Bujar Karoshi, i të ndjerit Haki Kola e të tjerë, që tani janë bërë shumë e do të shtohen me shumë e shumë të tjerë. Pasi duket nuk qenë e janë mjaft vetëm të mësipërmit, si argumente të bollshme e shume bindëse. Qeveritë autokrate, dritëshkurtra, oligarke e të korruptuara është shume zor të munden në pangopësinë e tyre! Nuk është nxjerrë mësim vallë nga dështimi me Sopanikën Cidhnake?
U zgjata pak për të provuar se është shumë e vërtetë thënia qarkulluese kudo, që me Skavicën e për shkak të saj, nuk ka me Dibër. Ajo varroset me gjithë çka përjetësisht.
Shqipëria e sotme është e madhësisë së Izraelit. Si mund të guxohet, të sillemi me tokën kaq të pakët bujqësore në total e për frymë kështu? Ndërsa në Izrael punohet me shkencë e thonj, që shkretëtirën e Negevit ta kthejnë pëllëmbë pas pëllëmbe në tokë të kultivuar e prodhuese bujqësore. Në anën tjetër, ky vend modern qëndron në ballin e botës për sjelljen shkencore ndaj pasurisë kapitale jetëdhënëse, tokës dhe ujit. Njëlloj dhe për industrinë e gjithë infrastrukturën moderne të sistemeve ujitëse e të vetujitjes së bimëve, ndër më të përparuarat e modernet e botës bujqësore botërore. Theksojmë se dy ndër krizat më të rënda, në trend përkeqësimi dramatik të botës së sotme janë ato të bimësisë (klorofilës që gjallon botën) dhe të ujit të ëmbël. Le të lejmë pak mënjanë rrahagjoksin për shpëtimin e hebrenjve, për ndriçimin e të cilit kam dhënë dhe personalisht kontribut 28 vjet më parë, gjatë specializimit në atë vend profetësh. Kjo meritë e rrallë dhe e shquar ka zënë vend, si dhunti e lavdi historike e mikpritjes dhe besës shqiptare. Është koha të mësojmë e përfitojmë nga përvoja e këtij shteti të ri e modern për të zhvilluar vendin në çdo fushë, me gjithë resurset falë Zotit, vetëm në trend shkencor, me vepra dhe për çdo ditë.
Diga e Skavicës nuk duhet të ndërtohet se shkatërron shumë me shumë se përfitimet që sjell ngritja e saj.
Ne protestën e 4 nëntorit 2021, të komunitetit dibran e më gjerë në Sheshin e Lirisë, demokracisë e protestës, që mban emrin e norvegjezit të shquar, Dag Hammarskjold, fare afër Pallatit të Qelqtë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u soll dhe një fakt i ri e argument bazik, që e kundërshton ndërtimin e HEC e Digës së Skavicës, si e jashtëkohshme. Kandidatja për Dr. Shkencash në City University të Nju Jorkut, Ferzileta Gjika- bijë e Fushë-Alies, pruri në vëmendje se “The World Commission on Dams” (për digat), ka vendosur që të ndalohet ndërtimi i digave mbi 15 m të larta dhe kur ujëmbledhësi i tyre grumbullon më shumë se 3 milionë metër kub ujë. Shteti Federal Amerikan për më tepër që nga viti 1990 ka çmontuar mbi 1700 Diga të Mëdha. Të njëjtën gjë ka vendosur dhe Komisioni Europian përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (ËBIF). Çdo lloj vepre me përmasa mbi ato tregues i grupon ne Diga te Mëdha dhe nuk rekomandon ndërtimin e tyre. Pse kanë një impakt negativ e jo të pranueshëm në mënyra shumë komplekse e afatgjatë në mjedis, në klime, efektin serë, për rrezikun në shtimin e sasisë së karbonit dhe pasiguri të tjera të së ardhmes. Mbi këtë bazë njohje të çudit fakti, se si kompania amerikane Bechtel është bërë pjesë e kësaj sipërmarrje, me dëm kësisoj shumë të madh. Nuk duam të besojmë, se është vënë në plan të parë apo është bërë pis ne afera korruptive, siç qeveria Rama është shndërruar sot me fakte. Nuk guxojmë ta besojmë. Akoma nuk është shuar e larguar, flaka si atomike, as tymi e mjegulla e Gërdecit. Klithshëm përgjakëse, e pandriçuar plotësisht dhe realisht e padënuar, që la pas një bashkëpunim tjetër amerikanët, jo i studiuar thellë e as gjithanshmërisht.
Nuk është me një zbulim i ri se për prodhimin e energjisë elektrike ekzistojnë e po shfrytëzohen prej kohësh burime shumë frutdhënëse alternativë, më të dobishme e të pastërta ekologjikisht, si energjia e fituar nga fuqia e erës dhe e Diellit. Pa përmendur tani për tani si luks e të parakohshëm për vendin tonë me halle shumë, prodhimin e energjisë me burim nuklear. Pikërisht aty ku mendohet të ngrihet një mal hekur-betoni në Skavicë, në opinionin tone fillon në brez vertikal gjeografiktokësor, Qafë-Draj-Baruc-Suka e Kalisit-Fushë e madhe (Kala e Dodës) shumë i përshtatshëm, për instalim-ndërtim Pilotash, për fitim energjie nga korrenti i përhershëm gjithë vjetor i rrymës se erërave. Është tanimë një doktrinë e plotë shkencore e provuar në praktiken e gjerë botërore, se kjo alternativë burim energjie elektrike rezulton më efektive, se çdo lloj tjetër burimi. Pa shkuar më tej e folur mbi argumentet që mbështesin prodhimin nuklear te energjisë.
Sa për dijeni, energjia elektrike në SHBA prodhohet nga burimet si vijon: 40% e saj nga gaz natyral, 19% nga qymyri, 20% nukleare, 20% nga burime të rinovueshme (prej saj 13% nga burime jo hidrike dhe vetëm 7% nga burime hidrike), ndërsa 1% nga burime të tjera.
Na gëzon fakti se Vjosa dhe pellgu ujëmbledhës i saj, po fiton dita-ditës një mbrojtje të lartë e të sigurt nga shteti shqiptar dhe deri opinioni mjedisor e artistik hollivudian, për t’u lënë natyralisht e paprekur. Është vlerë e pallogaritshme, parë e vlerësuar në shumë anë për vendin e popullin. Po a nuk të lind e drejta shumë më tej, se është shumë morale të pyesësh: Ç’është kjo sjellje kaq e papërgjegjshme, për të mos i vënë emër tjetër me Drinin, Luginën e tij, popullin që e banon, pasurinë ekonomike, historike, ekologjike, arkeologjike, turistike etj. të saj, që planifikohet të kryqëzohet e varroset kështu? E admirojnë dhe Luginën e Drinit Hollivudianë të tjerë, si Leonardo di Capri Vjosën. Kemi nderim të madh për to. Ç’është kjo sjellje me dy standarde? A nuk i ka dhënë akoma mjaft Drini Shqipërisë, sa i gjithi nga lumë po kthehet në liqen e bashkëjetuesit e përjetshëm të tij, një herë kuksianët e më parë më shumë se ato, shumë lumjanë e pukjanë, tash dhe shumë mijëra dibranët duhet të kthehen në muhaxhirë me përdhune “demokratike”?
Është vendlindja e Heroit Kombëtar dhe treva ku u zhvilluan 19 nga 25 betejat famëmëdha te Gjergj Kastriotit në krye të dibranëve e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve arbërore. Janë dhe rezultatet dhe lavdia e tyre ndër faktorët vendimtarë, që vunë dhe kufirin perëndimor të Perandorisë Obskurantiste Osmane të Lindjes me botën e krishterë perëndimore. Planifikohet të përmbytet një nga rajonet më të pasura me site arkeologjike të historisë së Dibrës e Kombit. Shumë e rëndë dhe e pa pranueshme.
Ky projekt i padrejtë e antinjerëzor mund të varrosë përjetësisht qindra e qindra mijëra varre dibranësh, që me kaq shumë sakrificë e kanë mbajtur shqiptare historikisht këtë tokë. Mjafton të përmendim Epopenë e Kryengritjen e vetëm dibranëve, që e mbuluan me gjak këtë trevë të shtrenjtë me 1913-tën, kur ato me një vetëmohim e trimëri të pashoq, mundën ushtrinë gjakatare serbe, shumë herë më të shumtë në numër e me armatim shumë më të mirë. Plot e krahasueshme me epopenë e Vlorës Labe me 1920-n. Që serbët të përziheshin përtej Korabit, si italianët u hodhën përtej Adriatikut. Aty në Shumbat ra dhe Mic Sokoli dibran Osman Paci, me gjoks mbi mitralozin shfarosës serb.
Ka dhe një “argument”, që me gjysmë goje përmendet në favor të varrosjes së jetës së Dibrës. Shpëtonka nga përmbytja e herëpashershme Fusha e Shkodrës. Është një hipotezë që nuk qëndron, për ju, zotërinj qeveritarë të vendit e ju o popull fisnik e mbretëror i Shkodrës? Dibranët si askush luftuan krah jush e shqiptarëve kudo, që populli heroik i Shkodrës dhe trojet e tyre shekullore të mos mbeteshin nën pushtetin e sundimin sllavo-malazias. Dibranët kanë varret e tyre në Shkodër e në katër anët e vendit. Ashtu si dhe një grup luznakësh me në ballë trimin dhe luftëtarin, Xheladin Seferin ranë heroikisht për mbrojtjen e Shkodrës Loce.
Qeveria Rama dhe çdo tjetër dhe ju znj. ambasadore J. Kim, duhet të jeni dhe zëri mbrojtës i shumë mijëra dibranëve shqiptaro-amerikanë të Amerikës, pronave dhe varreve të tyre dhe vet Dibrës pjese e rëndësishme e Kombit shqiptar, që Skavicë-Diga të mos ngrihet, po dhe Shkodra të mbrohet e Dibra të mos shuhet. Të dyja i kanë dhënë kaq shumë Shqipërisë e Kombit. Meritojnë po kaq shumë përkrahje për mbrojte në të drejtën e tyre.
Ndihmojeni Shkodrën, me ndihmën shkencore, mundësisht dhe financiare me kthim të Holandës mike, botërisht të njohur në këtë fushë, tani së fundi mike dhe e Kryeministrit Rama dhe e shqiptarëve. Fusha e Shkodrës mund të mbahet e kulluar e të mbrohet nga ujërat e tepërta, po pa e varrosur Dibrën. Një punë, që ju lë kryelartë e të mirëpërmendur në histori. Qoftë dhe diktatura komuniste e varfër dhe e izoluar nga bota e zhvilluar, pati mundur ta bëjë atë mjaftueshëm, po dhe duke mbrojtur Dibrën dhe dibranët, nga gjëma që i rrezikon sot.
Ju deputetët Lulzim Basha, Hulusi Manja, Lavdërim Krashi, Xhelal Mëziu duhet ta orientoni Parlamentin shqiptar drejt arsyes e një zgjidhje me shkencore, se e keni detyrë e në dorë të jeni zëri mbrojtës i Dibrës e zgjedhësve tuaj dibranë. Të jeni shpëtues të tyre. Para se t’i nënshtroheni qeverisë Rama, për një projekt, që dëmton e vret më shumë se ndihmon e kuron.
Të gjithë ju udhëheqësit vendorë bashkë me gjithë dibranët, që dëmtohen drejtpërdrejt ose jo, vëllazërisht e jashtë politikës, qëndroni bashkë e shpëtojeni Dibrën, gjakun e të parëve, pronën, tokën dibranë, historinë e varret tuaja. Hidheni këtë hap të madh të mençur e burrëror në kohë paqeje për veten tuaj, të fëmijëve e brezave pa mbarim që do të na zëvendësojnë. Jepni një mësim mediokritetit të qeverisë Rama, se me popullin tënd, në demokraci nuk mund të sillesh si me skllevërit.
Kjo vepër do të jetë hiç më pak, se e barasvlershme me atë të gjyshërve tanë, që u ngritën për të vdekur mbi një shekull më parë, në 1913 lavdi madhe. Dhe fituan me gjak atë, që ndryshe mund të vritet e varroset sot. E përgjithmonë.
* Ish-drejtor i Bujqësisë dhe Ushqimit të DibrësS