Stop Skavica

Stop Skavica

Publications

Skavica – Më mirë një Dibër pa hidrocentral apo një Shqipëri pa Dibër?

Professor Doctor Adriatik Balla

Një analizë shkencore mbi pasojat e rënda të projektit të HEC Skavicës

1.Hyrje

Projekti i Hidrocentralit të Skavicës është shfaqur më shumë se gjysmëshekulli më parë, i braktisur nga sistemi monist për shkak të pamjaftueshmërisë energjetike të tij në krahasim me investimin dhe natyrisht për shkak të dëmeve të mëdha ekonomike dhe mjedisore që paraqiste, ndërsa është rikthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit, madje i shpalosur me pompozitet, a thua se Skavica do të zgjidhë përfundimisht çështjen e energjisë në Shqipëri për shekujt e ardhshëm?! Në fakt, “Skavica” gjithnjë e më tepër po dëshmohet si një projekt i errët, me prapavijë interesash e kulisash të momentit e aspak në interes të Dibrës e të dibranëve. Një projekt i tillë nuk merr parasysh faktin se Skavica çon në asgjësim një krahinë të madhe të atdheut, përmbyt njërën prej zonave me tokat më pjellore të vendit, zhduk historinë e lashtë e të re të kësaj treve e ajo që është kulmi i të gjitha të këqijave, zhvendos dibranët nga vendi i tyre, për ta bërë Dibrën një vend të pabanueshëm e të zbrazur. Në çështjet e mëposhtme, duke dhënë argumentet tona dhe duke ngritur disa shqetësime që nuk janë marrë parasysh, i mëshojmë faktit se Skavica nuk duhet ndërtuar, duke apeluar për gjetjen e burimeve të tjera alternative që Shqipëria i ka me shumicë.

 

  1. Të dhëna të përgjithshme hidrografike të për Lumin Drini i Zi

Lumi Drin i Zi është një nga dy degët kryesore të Drinit të bashkuar. Ky lumë rrjedh nga liqeni i Ohrit nga jugu drejt veriut dhe derdhet në liqenin e Fierzës, duke pasur kështu një gjatësi prej 149 km dhe një pellg ujëmbledhës prej 5885 km2 (1942 km2 brenda territorit të Shqipërisë), me lartësi mesatare të pellgut ujëmbledhës 1132 m.

Prurja e lëngët mesatare shumëvjeçare e tij, referuar matjeve të rregullta 70-vjeçare, është afro 100 m3/s (pas vitit 1986 e deri në vitin 2006 nuk e ka kaluar asnjë vit prurjen mesatare 100 m3/s). Drini i Zi ka një modul rrjedhjeje 20 l/s/km2 dhe shtresë të rrjedhjes 430 mm. Koeficienti i rrjedhjes α është 0.48, bazuar në raportin e shtresës së rrjedhjes me shtresën e reshjeve. Volumi vjetor i rrjedhjes është 3.72 miliard m3 (9%) e shumës së volumit të gjithë lumenjve që derdhin në det.

Prurja minimale në periudhën e thatë të vitit për lumin Drini i Zi, është 49.5 m3/s, prurja e muajit më me pak ujë gjatë vitit është 38.6 m3/s ndërsa prurja më e vogël ditore është 7.8 m3/s. Për krahasim, për Drinin e bshkuar këto shifra janë respektivisht 108, 78 dhe 52.4 m3/s. Prurjet maksimale me rastisje një herë në 100 vjet është 1850 m3/s, më pak se Drini i Bardhë e shumë më pak se Drini i bashkuar që e ka gati 3 herë më shumë. Sasia mesatare e reshjeve vjetore 964 mm, shumë më pak se mesatarja e pellgut të Drinit të bashkuar në Fierzë, afro 1200 mm, e aq më pak në Koman e Vaun e Dejës që shkon në mbi 1500 mm.

Sasia vjetore prej 540 mm vjen me 99% rastisje, për të arritur 50% në shifrën mesatare 964 mm, dhe për të kapur me rastësi 1% 1523 mm (Drini i Bashkuar i ka këtu shifra 812, 1425 dhe 2293 mm reshje). Ky element na tregon qartë se fuqia energjetike që vjen nga prurjet si pasojë e kushteve atmosferike është efektiv në hidrocentralet e tjerë e jo aq efektin në Skavicë. E thënë ndryshe, Skavica është më e varur nga reshjet se hidrocentralet e tjerë prandaj dhe rreziku i dështimit të prodhimit të saj sipas parashikimeve është shumë i lartë. E thënë me fjalë të tjera, investimi shumë i madh, plus dëmi mjedisor dhe shpopullimi i zonës nuk justifikohen me rendimentin e HEC-it, i cili edhe sipas vetë projektit është më i vogël se i Fierzës e Komanit. Ai llogaritet të ketë një fuqi të instaluar midis 300-400 Megavat, e një prodhim vjetor të energjisë më pak se 1.4 miliard kilovatorë.

Një tjetër element i rëndësishëm është prurja e ngurtë, e cila, për rastin e Drinit të Zi në pezulli si aluvione është 2.1 milion ton në vit, ose 594 ton/vit/km2. Kjo shifër na dëshmon për disnivelet hipsometrike të luginës së drinit të Zi me njësitë malore kufizuese, pra karakterin torrencial të rrjedhjeve ujore, fuqizuar edhe nga larmishmëria litologjike e pellgut ujëmbledhës, ku ndryshe nga Drini i Bardhë e Drini i Bashkuar që kanë dominancë gëlqerorë, këtu ka gërshetim të karbonatikëve me rreshpet, magmatikët dhe terrigjenëve. Kjo sjell efektin e mbathjes më të shpejtë të basenit me aluvione krahasuar me hidrocentralet e tjerë.

Pasi janë analizuar me kujdes këta faktorë, dilet në Konkluzionin që kuota e propozuar në variantin e parë me h-443 nuk e zgjidh çështjen e energjisë, prandaj do të duhej një kuotë më e lartë e digës që të grumbullonte një masë më të madhe uji që të ishte e aftë të prodhonte por edhe të rregullonte regjimin e HEC-eve të tjerë. Prandaj specialistët që janë pro ndërtimit të Skavicës, të ndërgjegjshëm se varianti i parë nuk është rentabël mjaftueshëm, kanë propozuar kuotën h-485, i cili e kthen krejt luginën e drinit të zi në liqen, që praktikisht e zhbën Dibrën krejtësisht.

2.1. Disa të dhëna për hidrocentralet mbi lumin Drin dhe pikëpyetjet e Skavicës

Kaskada e drinit përmban një mori hidrocentralesh, 5 të tillë në projekt Brenda territorit të Shqipërisë, nga të cilët 3 janë ngritur e dy mbertën në projekt, ai i Skavicës dhe i Ashtës. Hidrocentrali i Vaut te Dejës, vënë në punë në nëntor 1971, ka 5 agregate dhe një fuqi 250 MË. Prodhimi vjetor i tij është 1.1 miliard kilovatorë[1]. Hidrocentrali i Fierzës është vënë në shfrytëzim në nëntor 1978. Ka fuqi të vendosur prej 500 MË dhe punon me 4 agregate. Prodhimi vjetor i tij është 1.8 miliard kilovatorë[2]. Hidrocentrali i Komanit filloi ndërtimin më 1979 dhe përfundoi më 1985. Ka fuqi të vendosur 600 MË dhe punon me 5 agregate. Prodhimi vjetor i energjisë është 2 miliard kilovator[3]. Nuk ka të dhëna të sakta se sa do të jetë fuqia e hidrocentralit të Skavicës, sepse deri tani është ecur me supozime e hamendësime ordinere. E njëjta gjë vlen dhe për hidrocentralin e Ashtës, deri tani imagjinar.

2.2. Të thuash “të mbysim Dibrën që të shpëtojmë Shkodrën” është marrëzi shkencore

Shumë autorë, por edhe politikanë meskinë e pa ndjenja njerëzore, insitojnë të ndërtohet Skavica për të shpëtuar Shkodrën nga pëmrbytja. Një qasje e tillë tërësisht e pabazuar në shkencë, është në rastin më të mirë mosnjohje e problemit, e në rastin më të keq ligësi. Në asnjë vend nuk bëhen projekte për të sjellë lumturi në një zonë duke shkaktuar tragjedi në një zonë tjetër. Për t’ju kthyer argumentit, theksojmë se në periudhën ujëshumë dhe gjatë ditëve me shi intensive, Drini i Zi kapërcen 1 mijë m3/s, dhe i bashkuar me Drinin e Bardhë para se të mbërrijë në Bunë, ata kapërcejnë 2-3 mijë m3/s, e një herë në 100 vjet mbi 4 mijë m3/s. Në këto raste të rralla, Drini i bashkuar me Bunën derdh në det një sasi mbi 6500 m3/s, duke ngjarë kështu me Danubin. Atëherë, në kushtet kur rprujet janë maksimale si pasojë e zgjatjes së periudhës me shi, apo e korresponduar me shkrirjen e shpejtë të borës, detyrohen të hapen portat e të gjithë liqeneve, duke bërë që fusha e Nënshkodrës të jetë e rrezikuar nga përmbytjet. Duke njohur karakterin e reshjeve në vendin tonë, që bien kryesisht në periudhën nëntor-prill, si dhe rastisjet në 5, 10, 20 apo 50 e 100 vjecare, bëhet e pamundur që Skavica ta luajë këtë rol pra të evitojë përmbyutjen e Shkodrës. Sic dihet, dhe e vërtetuar tashmë edhe me pamjet e fundit satelitore të servirura nga NASA, në periudhën ujëshumë, për shkak të cektëzimit të shtratit të Bunës, Drini krijon fenomenin e kundërt, duke cuar ujin e tepërt të tij në liqenin e Shkodrës. Liqeni fryhet dhe krijon përmbytje të disa lagjeve të qytetit por njëherësh edhe vetë Buna fryhet dhe krijon përmbytje në sektorë të ndryshëm të fushës së Nënshkodrës.

 

  1. Mbi impaktin negativ në tiparet fiziko-gjeografike

Ndikimi i liqenit të Skavicës është në disa plane fiziko-gjeografike:

3.1. Së pari, ndikimi në ndryshimin e profilit morfogjenetik të shpateve si pasojë e ndryshimeve të nivelit bazë të erozionit për shumë degë të Drinit të Zi.  Paqëndrueshmëria e shpateve që do të çojë në rrëshqitje dhe ngopje me lagështi për t’i bërë shtresat më të paqëndrueshme dhe për shkak të denatyrimit të shtratit në rritjen e gjeohazardeve me shfaqje të reja e të panjohura më parë për këtë luginë.

3.2. Në aspektin gjeomorfologjik, liqeni krijon një ndarje të pjesës lindore të luginës me atë perëndimore. Kjo ndarje shënon edhe elementin më të rëndë negativ në tiparet natyrore, pasi, ndryshon tërësisht sistemi gjeomorfik i luginës së Drinit të Zi, me pasoja të pariparueshme në qindra e mijëravjecar në mjedis.

3.3. Në aspektin klimatik, liqeni i Skavicës do të krijojë kushtet për një mikroklimë të rajonit, e cila do të specifikohet nga përmbakjtja e lartë e lagështisë në ajër, për pasojë shtimin e fenomenit të mjegullës dhe rrjedhimisht impaktin negative të treguesve të rrezatimit dhe treguesve të gtjerë meteorologjikë, duke e bërë jetën e banorëve që do të ngelen në pellgun e Dibrës më pak të shëndetshme.

3.4. Impakti negativ në pasuritë hidrike nëntokësore, pasi shumë burime aktuale me ndërtimin e Skavicës varrosen, po kështu ndryshojnë mjaft parametra të ujërave nëntokësore mbi pasqyrën e liqenit.

3.5. Ndryshime negative në tiparet pedogjenetike, ku tokat e begata të Dibrës si pasojë e denatyralizimit të elementëve të tjerë fiziko-gjeografikë, humbasin cilësinë e tyre për klimën ku janë formuar në mijëra vjet e për rrjedhojë do të ndryshojë tërësisht struktura e përdorimit të tokës, gjë që ka pasoja të rënda në prodhim dhe larmishmëri e për pasojë në shpopullim të vazhdueshëm.

3.6. Impakti në florë dhe në faunë mund të llogaritet po ashtu katastrofik. Me qindra specie bimore e shtazore zhduken (dhe Dibra e Poshtme është mjaft e pasur në këtë drejtim), për t’u lënë vend specieve që nuk janë karakteristikë për këtë luginë e për klimën e saj. Kuptohet, për këtë çështje kanë folur edhe autorë të tjerë. Qindra hektarë pyje me specie të rralla në të dy brigjet e Drinit mbulohen nga uji dhe ky është një dëm mjedisor me pasoja shumë të rënda në shëndet dhe në vetë të ardhmen e luginës. Këtu mund të përfshihen edhe dëme të tjera mjedisore që lindin si pasojë e shfrytëzimit të liqenit për peshkim etj.

 

  1. Impakti negativ demografik

Ky është një nga treguesit më tragjikë nga ky projekt. Skavica shpopullon Dibrën dhe këtu qëndron themeli i të gjitha çështjeve që ngrihen. Për shkak të pozitës gjeografike dhe rëndësisë së kësaj krahine në ngjarjet historike, Dibra është përballur me rrebeshe e fatkeqësi të mëdha përgjatë historisë. Tre janë periudhat kur është vënë në diskutim ekzistenca e saj. Fillimisht me pushtimin osman dhe masakrat e përbindshme të Sulltan Mehmetit në Ҫidhnë e në krejt Dibrën, duke bërë që krahina të humbiste pjesën dërrmuese të popullatës e të mbetej me pak mijëra banorë në fund të shekullit XV. Më pas me agresionin e egër serb ku llogaritet se nga treva e Dibrës u larguan deri në 70 mijë vetë dhe shpopullimi si pasojë e emigracionit që po ndodh gjatë këtyre 30 viteve të fundit, e që sipas të dhënave që ka publikuar vetë Instat, është alarmant. Nga qarku Dibër gjatë këtyre viteve të fundit, është larguar mesatarisht çdo vit mbi 3 mijë banorë. Qarku ka humbur në 5 vjetët e fundit 12% të popullsisë dhe zbrazja nuk ka të ndalur. Tani dhe një Skavicë më shumë duhet për ta zbrazuar Dibrën plotësisht nga dibranët.

 

4.1. Shpopullimi dhe pasojat

Ndërtimi i Skavicës do të shpërngulë afro 20 mijë banorë. Por impakti negativ është për afro 50 mijë vetë. Kjo pasi dëmtohen interesat e 20-30 mijë të tjerëve që janë në emigracion por janë ende të lidhur me zonën. Ku do të sistemohet një numër kaq i madh njerëzish, çfarë pune do të bëjnë (kjo popullsi është e pakualifikuar për punë tjetër), cili do të jtë dëmshpërblimi i tyre? Si mund të ecet me projekte të tilla pa u diskutuar me banorët?

 

  1. Impakti negativ në infrastrukturë

Ndërtimi i HEC-it sjell një masë të madhe uji (afro 50 km2), që e ndan luginën në dy pjesë, në lindje dhe në perëndim. Kjo e bën të pamundur lidhjen e tyre të shkurtër me ura dhe për të dalë nga një breg në tjetrin do të duhen tragete të vegjël apo varka, duke bërë që të humbasë koha, të rriten kostot e transportit, të mungojë lidhja e shkurtër e fshatrave me qytetin e Peshkopisë, praktikisht kjo çon në rrënimin përfundimtar të të gjithë fshatrave në të majtë të rrjedhjes, madje mund të shkohet deri aty sa të ndryshojë krejtësisht harta administrative dhe fshatrat e Lurës, të Katër grykëve etj, t’i bashkohen Matit e Mirditës, për efekt menaxhimi më të lehtë. Kjo do të thotë ndarje për së gjalli e Dibrës. Për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtij fenomeni po japim shembullin e ndarjes së Dibrës më 1913 nga Fuqitë e Mëdha. Dibra e Madhe (Shehri i Dibrës) mbeti jashtë dhe kjo solli disa pasoja e konkretisht: Fshati (zonat rurale në perëndim) humbi tregun, humbi arsimin, humbi kulturën dhe qytetarinë, pra humbi orientimin. Kurse qyteti humbi produktet, humbi krahun e forcës, humbi krenarinë, pra humbi mbështetjen. Kjo ndarje, edhe sot pas më shumë se 100 vjetësh, ndihet e fortë dhe është kuptimplote. Qyteti i Dibrës së Madhe, që kishte 10 mijë banorë në vitin 1912, edhe sot pas 100 e kusur vitesh ka po kaq banorë shqiptarë. Ndarja ka qenë e tmerrshme, e tillë do të jetë edhe nëse ndërtohet Skavica. Nëse para 100 vjetësh serbët e planifikuan lumin Drin i Zi si vijë strategjike, para se të vendosnin kreshtat malore të Lurë-Balgjait më pas, Skavica regjistron kështu, pa dashur të bëjmë një krahasim të tillë, një projekt ndarës, sikurse e dëshironte mbreti serb N.Pashiç.

 

  1. Impakti negativ në ekonomi

Është fare e qartë tashmë se specialistët e dekadave më parë nuk kanë mundur të bindin se energjia e Skavicës do të sjellë më shumë fitime se produktet bujqësore e blegtorale të prodhuara në luginën e Drinit të Zi. Në Shqipërinë lindore, dy janë vendet më të begata, fusha e Korçës dhe lugina e Drinit të Zi. Në Shqipërinë verilindore ky është vendi më pjellor. Larmishmëria e produkteve bujqësore është mjaft e madhe dhe e dëshmuar në kohë. Prodhohet gjithçka dhe në sasi të madhe. Janë kushtet fiziko-gjeografike që e mundësojnë këtë dhe Lugina e Drinit të Zi është një hambar për Shqipërinë. Asnjëherë, në asnjë rrethanë, hidrocentrali i Skavicës nuk mund të prodhojë fitime sa ç’prodhojnë tokat aluvionale, ato të kafenjta e të murrme pyjore që dëmtohen nga përmbytja direkt ose indirekt. Bimët e arave, foragjeret, perimet, frutikultura, degët artizanale etj, pothuajse të gjitha gjejnë kapacitetin e tyre maksimal në luginën e Drinit të Zi. Analizat e specialistëve në atë kohë e në këtë kohë duket se nuk po merren në konsideratë.

 

  1. Shqetësimi qytetar

Ky është një element i rëndësishëm që fokusohet në disa disa drejtime:

7.1. Shqetësimi juridik – Ndërtimi i një dige të tillë që përmbyt Dibrën, kërkon më së paku marrjen e mendimit të banorëve dhe në kushtet kur nuk ka marrëveshje dhe mirëkuptim, atëherë është kushtetuta ajo që paraqet nevojën e një referendumi lokal, ku populli i Dibrës të shprehet. Gjykojmë se asnjë dibran, me dy pare mend në kokë, nuk do ta dëshironte Skavicën. Dhe projekte të tilla që nuk dëshirohen nga banorët nuk mund të zbatohen. Ka plot shembuj në Europë dhe më gjerë të zbatimit të referendumeve lokale.

7.2. Shqetësimi që lidhet me historinë – Dibra është vendi i zbulimeve të mëdha arkeologjike, ku janë evidentuar shumë vendbanime prehistorike e historike me vlera të jashtëzakonshme, por për këto është shprehur më mirë arkeologu, profesor A.Bunguri. Megithatë, mund të shtoj se jemi pranë zbulimeve akoma më të rëndësishme, gjë që me Skavicën do të viheshin në diskutim, njëlloj sikurse bëri liqeni i Vaut të Dejës me kulturën e Komanit, që lidhte natyrshëm kalimin nga ilirët tek shqiptarët.

Mbi gjithçka, në historinë e Dibrës e të Shqipërisë spikat si fanar Skënderbeu, heroi i vetëm kombëtar i shqiptarëve. A mund të kuptohet Dibra pa “Atletin e Krishtit”, Skënderbeun, dhe a mundet të konceptohet Shqipëria pa Dibrën? Lugina që përmbytet është baza e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme historike të popullit tonë dhe kjo është një nga pikat më të rëndësishme ku këmbëngulet. Dibra nuk mund të lejojë të varroset poshtë ujërave të një hidrocentrali historia e saj.

7.3. Shqetësimi që vjen nga dëmtimi materialo-shpirtëror – Skavica përmbyt një kulturë, një qytetërim mijëravjecar, përmbyt një histori, pra ajo përmbyt vlera historike, por edhe vlera materiale e shpirtërore të banorëve që i kanë të lidhura me tokën, shtëpinë dhe krahinën, me këngët dhe vallet, me veshjen, me traditat e çmuara të saj. Kjo dëmton lidhjen shpirtërore të banorëve të emigruar me zonën, pasi aty ndodhen varret e të parëve, ndodhet e shkuara e fisit, fshatit, krahinës dhe sikurse ka thënë autori francez Pol Claval, regjioni përcaktohet si një hapësirë ku fermentohet me natyrën ndjenja njerëzore e identitetit dhe Dibra e dibranët në veçanti, e kanë të shprehur këtë gjë.

7.4. Shqetësimi politik – i cili ka të bëjë me indiferencën e klasës politike në tërësi për ngjarje e zhvillime kaq të rëndësishme, për të mos thënë që politikanët shqiptarë, të shtyrë nga interesa të momentit dhe nga propozime për investime të mëdha, anashkalojnë mendimin e shkencëtarëve dhe qytetarisë në Dibër, duke shkelur kështu një parim themelor, atë të funksionimit të pushteteve e njëherësh mënjanimin e qytetarëve nga vendimarrja dhe mosmarrja parasysh e sugjerimeve të bazuara në punë shkencore. Politizimi i çështjes, është një tjetër lëvizje e gabuar, pasi këtu bëhet fjalë për ekzistencën e Dibrës.

 

  1. Debati mbi kuotat e digave të propozuara. Çfarë janë S-443 dhe S-485?

Për ndërtimin e Skavicës qarkullojnë lloj-lloj variantesh, njëri me kuotë më të ulët, i cili do të ishte krejtësisht katastrofë pasi, siç e cilësuam më lart nuk do të kishte rendimentin e kërkuar si dhe një kuotë të digës më të lartë që do të shkaktonte një katastrofë akoma më të madhe, një fatkeqësi kombëtare, pasi do ta zhdukte luginën e Drinit të Zi. S-443 ose h=443 m është kuota (izoipsi) e projektuar e digës së hidrocentralit në variantin e parë. Kjo kuotë e sjell liqenin që do të krijohet mbi urën e Topojanit. Pra e pushton edhe grykën e Hoteshit, që ndan pellgun e Dibrës në jug nga ai i Peshkopisë (Dibrës së Poshtme) në veri. Me këtë kuotë zhduket Dibra e Poshtme.

Po S-485? h=485 është kuota (izoipsi) e projektuar për digën e Skavicës në variantin e dytë (sipas disa autorëve pas 10 ose 15 vjetësh). Në këtë variant përmbytet komplet fusha e Gjoricës, aty ku është shkruar historia e Dibrës (kundër Hajredin Pashës), pra përmbytet edhe Dibra e Sipërme deri afër fshatit Bllatë. i pashë me kujdes hartat topografike, një për një, dhe u përpoqa të krijoj vetë izoipsin e liqenit të ardhshëm në variantin e parë dhe të dytë. Nëse zbatohet edhe varianti i dytë është një fatkeqësi e madhe kombëtare, sepse praktikisht i bie të zhbëhet Dibra, zemra e atdheut etnik.

8.1. Vendbanimet që zhduken nga harta

Ja disa prej fshatrave të njohur, të ndodhur pranë lumit Drini i Zi, që përmbyten nga “Skavica” (mos harrojmë se mbi këto kuota vihen në diskutim edhe shumë fshatra të tjerë që kanë tokën e bukës nën kuotën e digës, si dhe një brez 5-10 m lartësi mbi digë që bëhet i papërdorshëm):

-Draj-Reç dhe Zall-Reç (340 m)

-Zall-Dardhë (350-400 m)

-Lugjaj

-Shenlleshi

-Zall-Kalis

-Fushë-Cidhna (360-400 m), si dhe lagjet që shtrihen në anët e përrenjve Shtumbat, Blliçe, Laçaj etj.

-Arrasi (370m) dhe Mustafe (disa lagje)

-Kishaveci (390-500 m)

-Kandri (Fusha e Thatë), Vajmëdhenj dhe Kalaj

-Disa lagje të Sinës (vendlindja e Kastriotëve), 450-500 m

-Bresti i Poshtëm dhe Fushë-Kastrioti (450-550 m)

-Kuben dhe Rreth-Kalaj

-Fushë-Muhuri (400-500 m)

-Fusha e Brezhdanit (400-420 m tek ish-stallat)

-Katundi i Ri (430 m)

-Një lagje e Selanit dhe një lagje e Hoteshit

Me S-485 dëmtohen edhe: -Gradeci dhe Kovashica (480 m)

-Homeshi, Okshatina, Boçeva, Gjorica (450-550 m)

-Izoipsi 500 m i afrohet fshatit Bllatë e Poshtme

 

9.Konkluzionet themelore

Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të përmbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.

9.1. Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.

9.2. Zhduken fshatra të tërë, 35 të tillë, dhe krejt toka e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë. Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak. Mos harroni, hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.

9.3. Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.

9.4. Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve. Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.

9.5. Në luginën e Drinit të Zi, nuk mbetet më vend për të kujtuar luftërat skënderbejane të skalitura në historinë e Shqipërisë dhe ky është dëm kolosal, që shkel mbi amanetin e të parëve dhe shkërmoq identitetin e pasardhësve.

9.6. Denatyralizohet lugina e Drinit të Zi, e cila ka një pjesë të rëndësishme të fondit bujqësor në Republikën e Shqipërisë dhe disa prej tokave më pjellore të vendit, si dhe shumë burime natyrore që janë mundësi zhvillimi shumë më tepër sesa një HEC.

Për ta përmbledhur këtë analizë dibranët sot shtrojnë për diskutim një pyetje:

Skavica llogaritet të kushtojë midis 0.5-1 miliard euro. Po sikur këto shifra parash të investoheshin në bujqësi, turizëm, ekonominë pyjore, ndërmarrjet e vogla artizanale dhe disa sektorë industrial në Dibër, sa fitime do të kishte Shqipëria?

 

Literatura

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (1990), “Gjeografia Fizike e Shqipërisë”, volum 1&2, Tiranë.

Pano, N., (2015), “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë

Gruda, Gj., (2021), “Relievi Strukturor i Shqipërisë”, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë.

Qiriazi, P., (2019), “Gjeografia Fizike e Shqipërisë”, Tiranë.

Melo, V., (1990), “Megastrukturat e Albanideve dhe tiparet e relievit të lidhura me to”, Tiranë.

Instituti i Statistikës – Vjetarët statistikorë të qarkut Dibër dhe censuset 1989, 2001, 2021.

Bashkia Dibër (2021) – Popullsia sipas Regjistrit Civil.

 

[1] Niko Pano (2015), pasuritë ujore të Shqipërisë, fq. 219 & 402.

[2] Po aty.

[3] Po aty.

1 COMMENTS

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *

The movement "Opposition to Skavica Dam", "Opposition to the construction of the Skavica Project" has been approved, legitimized by the Court of Tirana, as a popular movement to oppose the construction of Skavica, and aims to protect Dibra. I invite all Dibras to be part of this movement, all-popular, united more than ever. Please contact us with the following information: **email: oppositionskavica@gmail.com ** cell: 0696752775 **With respect, ** Ferzileta Gjika